Investimi në urën e re të Viroit, BB: Përfitojnë mbi 200 mijë drejtues mjetesh e 150 mijë këmbësorë
Vijon ndërtimi i urës së re të Viroit, projekti i parë nga 30 ura që do të realizohen në gjithë vendin me mbështetjen e Bankës Botërore.
Po vijon puna për ndërtimin e urës së re të Viroit, e para nga 30 urat që do të ndërtohen ose përmirësohen në të gjithë Shqipërinë, falë investimit të qeverisë me mbështetjen e Bankës Botërore.
Banka Botërore ndau foto nga puna që po zhvillohet për ndërtimin e urës së re të Viroit, teksa bëri të ditur se, ura është e vendosur në aksin SH4 drejt pikës kufitare të Kakavijës me Greqinë dhe është thelbësore për lidhjen rajonale.
Ura do të jetë 33 metra e gjatë dhe 7 metra e gjerë, me 2 korsi dhe trotuare për kalimtarët në të dy anët e saj. Ura e re do të shkurtojë kohën e udhëtimit, përmirësojë sigurinë gjatë përmbytjeve dhe lidhë komunitetet e Jugut të Shqipërisë duke krijuar më shumë mundësi punësimi, arsimimi, të kujdesit shëndetësor dhe aksesit në tregje.
Sipas BB-së, në mungesë të rrugëve alternative, kur ura përmbytet, ndërtimi i urës së re do të sigurojë qarkullim të pandërprerë gjatë gjithë vitit .
“Mbi 200 000 drejtues mjetesh dhe 150 000 këmbësorë do të përfitojnë si pjesë e përpjekjeje për një infrastrukturë transporti të qëndrueshme ndaj klimës”, shkruan BB në rrjete sociale./Scantv